AKTIVITET TRAJNUES: “Trajnim në lidhje me vendimet e gjykatës së lartë për njësimin dhe zhvillimin e praktikës gjyqësore." - 21 maj 2026

Shkolla e Magjistraturës më datë 21 maj 2026, zhvilloi aktivitetin trajnues me temë: “Trajnim në lidhje me vendimet e gjykatës së lartë për njësimin dhe zhvillimin e praktikës gjyqësore. Pozita kushtetuese dhe ligjore e Gjykatës së Lartë si garant i unifikimit të jurisprudencës. Zbatimi i jurisprudencës së unifikuar dhe shmangia e saj përmes arsyetimit”, pranë ambienteve të Shkollës së Magjistraturës, në Tiranë. 

Ky aktivitet u drejtua nga: 

Ekspertë: Enton Dhimitri, Arta Vorpsi

Lehtësues: Elton Frashëri

Qëllimi i këtij trajnimi është: Të analizojë pozitën kushtetuese dhe ligjore të Gjykatës së Lartë si garant i unifikimit të jurisprudencës, si dhe të zhvillojë një qasje të vetëdijshme dhe të përgjegjshme të gjyqtarëve ndaj zbatimit të jurisprudencës unifikuese, duke adresuar format e shmangies përmes arsyetimit dhe ndikimin e tyre në sigurinë juridike, barazinë para ligjit dhe koherencën e sistemit gjyqësor.

Metodologjia e trajnimit është interaktive dhe e orientuar drejt diskutimit. Përveç prezantimeve të strukturuara, pjesëmarrësit përfshihen në analizën e rasteve praktike, diskutime në grup dhe reflektime mbi situata konkrete të vendimmarrjes gjyqësore. Kjo qasje synon të nxisë jo vetëm përvetësimin e njohurive, por edhe zhvillimin e aftësisë për të aplikuar jurisprudencën në mënyrë substanciale dhe të arsyetuar, duke shmangur zbatimin formal dhe devijimet e pajustifikuara.

Gjatë këtij aktiviteti trajnues u trajtuan tema të ndryshme, si: 

  • Natyra juridike e jurisprudencës unifikuese, jo burim formal, por detyrim juridik, lidhja me përgjegjësinë disiplinore;
  • Roli kushtetues i Gjykatës së Lartë, siguria juridike, barazia para ligjit dhe koherenca e sistemit;
  • Detyrueshmëria vs. zbatimi real, zbatim formal vs. zbatim substancial;
  • Shmangia e jurisprudencës përmes arsyetimit, shmangia artificiale, riformulim i çështjes, citim formal pa efekt, interpretim selektiv;
  •  Pasojat kushtetuese të shmangies, cenimi i barazisë, pasiguria juridike, fragmentimi i jurisprudencës. Roli i arsyetimit si mjet zbatimi dhe shmangieje;
  • Çfarë konsiderohet jurisprudencë unifikuese, vendime unifikuese, praktikë e qëndrueshme, identifikimi i pjesës detyruese të vendimit, ratio decidendi – obiter dicta. Zbatimi konkret në vendim, si citohet dhe si integrohet në arsyetim;
  • Shmangia në praktikë, si bëhet si duhet, kur është i pranueshëm. Gabimet më të shpeshta në praktikë, citim mekanik, keqinterpretim, shmangie e paarsyetuar. Roli i Gjykatës së Lartë në korrigjim.

Në këtë aktivitet trajnues morën pjesë gjyqtarë, inspektorë dhe ndihmës inspektorë nga Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë të Republikës së Shqipërisë.